Ministrja serbe e Integrimit Evropian: Çështja e Kosovës – pengesë për anëtarësim në BE

Ministrja serbe e Integrimit Evropian: Çështja e Kosovës – pengesë për anëtarësim në BE

Ministrja e Integrimit Evropian e Serbisë, Jadranka Joksimoviq, ka thënë se Serbia ka pesë kapituj të gatshëm për bisedime me Bashkimin Evropian, por që sipas saj këto kapituj nuk po hapen për shkak të problemeve në BE.

Sipas saj, Serbia është duke zhvilluar negociata sipas kritereve më të vështira, duke theksuar tutje se zgjidhja e “problemit të Kosovës” nuk kishte filluar deri në vitin 2014, e cila ishte gjithmonë kërkesë politike për Serbinë.

Ajo e pranon haptazi që nuk ka hapje të kapitujve të rinj e as anëtarësim në BE pa arritjen e marrëveshjes me Kosovën, transmeton Insajderi.

Arsyeja për këtë, siç thotë ajo, është qasja e re e Bashkimit Evropian, sipas së cilës nuk ka hapje të kapitujve të rinj për të cilët janë gati nëse nuk ka progres në shtetin e së drejtës dhe në rastin e Serbisë, dialogun me Kosovën.

“Qëllimi ynë është që Serbia të jetë një partner i respektuar i Bashkimit Evropian që nga momenti i parë që ne bëhemi anëtare. Ne tashmë jemi një vend që po i afrohemi një partneri të respektuar dhe kemi treguar se kemi bërë shumë edhe në kritere politike”, tha ndër të tjerash Joksimoviq për televizionin public të Serbisë. /Insajderi.com