Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedatj, është takuar me kryetarin e Kuvendit të këtij shteti, Talat Xhaferi, njofton Insajderi.
Xhaferi ka shprehur kënaqësi për marrëdhëniet bilaterale të mira dhe konstruktive ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si edhe për bashkëpunimin e frytshëm ndërparlamentar.
Ai e vlerësoi si veçanërisht të rëndësishëm bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke drejtuar urime për rrumbullakimin e suksesshëm të kryesimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës me këtë forum të rëndësishëm të dialogut politik dhe diplomatik.
Edhe ambasadori Dedaj, drejtoi urime për “zbatimin demokratik të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjen e sërishme të Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Duke vlerësuar se vendi lëviz në drejtimin e duhur, ai shprehu kënaqësi për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e përshëndeti “përparimin historik me anëtarësimin në NATO dhe rezultatet inkurajuese për fillimin e negociatave me BE-në”./Insajderi.com