Vihet në pikëpyetje takimi i radhës në Bruksel

Arsye për moszhvillimin eventual të takimit mund të jetë refuzimi i Kosovës për të biseduar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje për të cilën u tha se do të diskutohet në kuadër të temës së “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Vihet në pikëpyetje takimi i radhës në Bruksel

Edhe pse ishte paralajmëruar se më 28 shtator, në Bruksel do të zhvillohej takimi i radhës i nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, ku do të takoheshin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajtja e këtij takimi është vënë në pikëpyetje, njofton Insajderi.

Burimet diplomatike në Bruksel, thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk është e sigurt nëse do të mbahet ky takim sepse ende nuk kanë konfirmim nga palët.

Arsye për moszhvillimin eventual të takimit mund të jetë refuzimi i Kosovës për të biseduar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje për të cilën u tha se do të diskutohet në kuadër të temës së “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Në BE kanë pohuar se për të diskutuar për këtë temë, sikur edhe për çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq ishin pajtuar gjatë takimit të tyre të mbajtur para dy javësh.

Delegacioni i Serbisë, siç kishin konfirmuar edhe palët në dialog, kishte insistuar që për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të diskutohej edhe në takimin e fundit të ekspertëve, por pala kosovare kishte refuzuar një gjë të tillë.

Pas atij takimi, shefi i delegacionit të Serbisë në dialog, në kuadër të nivelit të ekspertëve, Marko Gjuriq kishte thënë se Serbia do të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e radhës dhe do ta kushtëzojë atë me gatishmërinë e Prishtinës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicës serbe. Gjuriq ishte shprehur se Serbia pret që BE-ja dhe vendet anëtare, të bëjnë presion mbi Prishtinën zyrtare lidhur me këtë çështje.

Në BE ende nuk kanë një përgjigje të prerë se a do të zhvillohet apo jo takimi i paraparë për 28 shtator. Por, disa burime diplomatike pohojnë se, nëse delegacioni i Kosovës vazhdon të kundërshtojë që të diskutohet për “aranzhimet për komunitetet joshumicë”, atëherë do të jetë e vështirë që të organizohet takimi ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit.

“Nuk mund të bisedohet vetëm për temat të cilat i dëshiron njëra palë, e të mos diskutohet edhe për temat që paraqet pala tjetër”, ka thënë një burim diplomatik në Bruksel./Insajderi.com