Zëdhënësja e Termokosit, Aferdita Uka, ka thënë se janë evidentuar edhe problemet që janë paraqitur në sezonin e fundit, në ndonjërin prej objekteve banesore, derisa ka shtuar se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sezonin e ri të ngrohjes.
Sipas saj, ky sezon do të fillojë më 15 tetor, ndërkohë që borxhlinjët e kësaj ndërmarrje paralajmërohen se kanë kohë një javë për shlyerje të borxheve.
“Kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri, sezonin e ardhshëm ngrohës, pra 2020-2021. Tani jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimi e këtij sezoni, gati se ka marrë fund edhe pastrimi në stacionin e ngrohjes, këtu që shpërndan ngrohje tek konsumatorët tanë, dhe tek nen stacionet ngrohëse nëpër objektet banesore kudo që është paraqitur ndonjë problem gjatë sezonës së fundit ngrohëse”, ka thënë Uka.
Uka ka thënë se secilit që i është dërguar vërejtja nga Termokos-i, për shlyerje të borxhit, kanë afat prej shtatë ditëve që t’i shlyejnë borxhet.
“Është afati 7 ditor, kujtdo qoftë që i është dërguar vërejtja e dytë, nëse në afat prej 7 ditëve nuk reagon, ne në bashkëpunim me përmbaruesit privat, pasi që veç ata janë të identifikuar si konsumator tanë sigurisht që janë ditur edhe kontot e tyre bankare, do t’i tërhiqen”, ka thënë ajo. /Insajderi.com