Pritet vendimi i Qeverisë së Maqedonisë Veriore për hapjen e kufirit pa kushte

Pritet vendimi i Qeverisë së Maqedonisë Veriore për hapjen e kufirit pa kushte

Komisioni i Sëmundjeve Infektive në Maqedoninë e Veriut i rekomandon Qeverisë heqjen e PCR testit negativ të obligueshëm për të hyrë në këtë vend, ndërkaq rekomandimi i tyre do të diskutohet në mbledhjen e parë të Qeverisë, njofton Insajderi.

Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë janë në koordinim me autoritetet rajonale, prej ku presin të reflektojnë ndaj vendimit për heqjen e testeve në mënyrë të koordinuar.

Drejtori i ISHP-së në Maqedoni, Shaban Memeti, thotë se heqja e testeve është interes rajonal.

“Ne mendojmë se është interes rajonal dhe ndër shtetëror që testet PCR të hiqen. Shtete të caktuara kanë rritje ose ulje të caktuara të rasteve me Kovid-19, ndërsa ne si vend kemi analiza për atë se çfarë mund të na presë. Nuk mendoj që do të jenë kundër heqjes së testeve PCR”, tha ai.

Në rast se nuk ka marrëveshje rajonale, autoritetet do të vendosin për heqjen e testeve me shtete të caktuara si Republikën e Kosovës dhe Serbinë.

“Ne si vend duhet të kemi marrëveshje multilaterale ndërmjet shteteve. Por nëse nuk arrijmë diçka të tillë, neve duhet të bëjmë marrëveshje bilaterale me shtete të caktuara”, pohoi Memeti. /Insajderi.com