Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Michele Risi, ka deklaruar se pika e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me formimin e Asociacionit të formimit të komunave me shumicë serbe, është çështje e diskutueshme e cila në vete bart një rrezik të caktuar, njofton Insajderi.
“Një pikë shumë e diskutueshme në dialog, ka të bëjë me formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe çfarë funksioni dhe fuqie ekzekutive do t’i caktohet asaj”, tha Risi gjatë një konference të Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s në Romë.
“Disa përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, paralajmëruan për rrezikun e ‘bosnjësimit’ të Kosovës, i cili do të mund të rrezikonte etnitetin shtetëror të Kosovës”, tha Risi.
Ai shtoi se marrëveshja e Uashingtonit më 4 shtator, të cilën e kanë nënshkruar kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndihmuar në krijimin e një momenti të favorshëm për ndërtimin e besimit midis Beogradit dhe Prishtinës.
Derisa Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës./Insajderi.com