"Nuk flas më"

Haradinaj në Speciale: S’e njoh këtë gjykatë – e bënë faqezinjtë tonë për poste

Nasim Haradinaj: “Nuk e njoh këtë gjykatë. Edhe po të më dënoni një million vjet, mendimin nuk e ndryshoj”.

Haradinaj në Speciale: S’e njoh këtë gjykatë – e bënë faqezinjtë tonë për poste

“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe jam arrestuar për mendimin tim të lirë”, ka qenë komenti i Nasim Haradinajt, kur është pyetur nga Gjyqtari i Gjykatës Speciale nëse ka diçka për të thënë.

Me ton të ngritur dhe i mllefosur, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, e ka krahasuar Specialen me gjykatat e ish-regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit.

“Jam arrestuar në moshën 15 vjeçare, edhe atëherë për mendim tim të lirë”, ka krahasuar Haradinaj, duke shtuar i vendosur se “nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh këtë gjykatë”.

Haradinaj tha se kaq ka dhe s’ka më nevojë e dëshirë të flas, porse përsëri ka vazhduar të ankohet në juridiksionin e munguar të Speciales dhe ka kontestuar mandatin e saj.

“Keni mbi 150 mijë nënshkrime se jemi kundër kësaj gjykate. Deputetët me votat e tyre e kanë sjellë këtu popullin. E bënë faqezinjtë tonë për poste.  Jam padrejtësisht këtu, e keni thyer kushtetutën e vendit tim, çdo ligj njerëzor, të drejtën e mendimit të lirë. Unë për mendimet e lira jam i dënuar në moshën 15 vjeçare nga regjimi i Millosheviqit, nuk i kemi ra pishman dhe nuk i bimë. Kemi luftuar për të drejtën minimale të mendimit të lirë. Dhe nga ky moment unë më nuk do të flas.”, deklaroi Haradinaj. /Insajderi.com