Veseli ia vë fajin Kurtit dhe Hotit për rënien ekonomike – propozon unitet

Veseli ia vë fajin Kurtit dhe Hotit për rënien ekonomike – propozon unitet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kritikuar qeverinë Hoti si dhe atë Kurti, tek sa ka publikuar një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës – në të cilin vërtetohet rënia e Bruto Produktit vendor në këtë periudhë kohore.

“Të dhënat e sapo publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës po flasin për një rënie të ndjeshme prej 9.28% të Bruto Produktit Vendor krahasuara me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.”, shkroi Veseli në Facebook, transmeton Insajderi.

Veseli, ka kritikuar të dy qeveritë, Hoti dhe Kurti, që nuk e kanë përfillur propozimin e partisë së tij, për rimëkëmbjen ekonomike.

“Fatkeqësisht, po vërtetohet paralajmërimi ynë për një dëm të madh ekonomik nga pandemia nëse nuk merreshin masa konkrete nga qeveria për të tejkaluar pasojat. Aktivitetet ekonomike më të dëmtuara janë ndërtimi, tregtia, turizmi dhe gastronomia për të cilët më së shumti ne kemi vënë alarmin”, shtoi ai.

Fushat më të prekura sipas Veselit janë, tregtia, turizmi dhe gastronomia, ndërsa ai ka ftuar për unitet të skenës politike, në mënyrë që të kalohet kjo situatë.

“Në kushtet kur ekonomia është në prag të kolapsit, unë ri-përsëris thirrjen ndaj partive qeverisëse, që për hir të interesit të vendit, të ulemi bashkërisht të gjitha partitë së bashku me odat ekonomike, për të bërë një ligj të plotë e të qëndrueshëm që trajton seriozisht nevojat dhe rreziqet me të cilat po përballet ekonomia jonë”, përfundoi ai./Insajderi.com.