Rama: Do të hiqet kufiri dhe porti i Durrësit do të shndrrohet defakto i Kosovës

Rama: Do të hiqet kufiri dhe porti i Durrësit do të shndrrohet defakto i Kosovës

Me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka filluar mbledhja ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Rama është deklaruar rreth marrëveshjeve të realizuara që nga mbledhja e fundit e mbajtur në Pejë.

Kreu i ekzekutivit shqiptar në mbledhjen e dy qeverive ka thënë se ambicia e dy shteteve do të jetë heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Evropian në rajon.

“Nëse i referohemi mbledhjes në Pejë të gjitha dokumentet janë në proces zbatimi ose ato kanë përfunduar. Kontrolli në Morinë funksionon në parimin një pikëkalimi një kontroll. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të BE-së në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që MPB-të e dy shteteve të intensifikojnë punën për të krijuar databazën për hyrje-daljet në kohë reale që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimentër në frontin kundër aktiviteve të paligjshme”, ka thënë ai

Rama tutje është shprehur se do të firmosin së shpejti marrëveshje që porti i Durrësit të jetë defakto edhe port i Kosovës.

“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve na çon në destinacion, shëndrrimin e portit të Durrësit në një port defakto të Kosovës”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar më tej theksoi edhe problemin me të cilin po ballafaqohen qytetarët e Kosovës, liberalizmin e vizave nga BE, për çka thotë se është turp për bllokun pasi që Kosova ka kryer detyrat e saj.

“Nuk e di se çfarë të besoj për liberalizimin e vizave, por më mbetet të përsëris se mosliberalizimi i vizave është një turp për Bashkimin Evropian, meqë Kosova nuk është se nuk ka kryer detyrat, por është marrë peng në politikat e brendshme të BE-së. Kam folur me të gjithë papushim për këtë temë, me kë e kam takuar në Europë dhe kuptoj se arsyeja nuk është ajo që e thonë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka përmendur edhe mini-Shengenin për çka thotë se është në të mirën e të gjithë të rinjve shqiptar kudo që janë. /Insajderi.com