Hoti për marrëveshjet që do të nënshkruhen: Tregojnë përkushtimin e dy qeverive për të ecur përpara

Hoti për marrëveshjet që do të nënshkruhen: Tregojnë përkushtimin e dy qeverive për të ecur përpara

Pas fjalimit të homologut të tij shqiptar, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marrë fjalën në mbledhjen e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku ka folur në lidhje me heqjen e kufirit midis të dyja vendeve, njofton Insajderi.

Jo shumë ndryshe nga kryeministri Rama, edhe kreu i Qeverisë së Kosovës ka folur për rëndësinë e marrëveshjeve të cilat do të nënshkruhen bashkë me qeverinë e Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për vendet tona, kulturën e popullin tonë të përbashkët. Me këto marrëveshje hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit tonë ndërshtetëror. Të gjitha të koncentruara në lehtësimin e jetesës së qytetarëve. Tregojnë përkushtimin e dy qeverive për të ecur përpara”, theksoi Hoti.

Kryeministri i Kosovës në fjalën e tij në këtë mbledhje po ashtu njoftoi edhe për punën e qeverisë që nga marrja e mandatit, duke e cilësuar si më të rëndësishmen marrëveshjen e nënshkruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 4 shtator, midis Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja në SHBA po cilësohet historike dhe me kohën i gjithë spektri politik do ta ketë të qartë rëndësinë e saj për stabilitetin në rajon”, tha Hoti. /Insajderi.com