Ankesat e serbëve

Në Serbi thonë se “Gjykata Speciale është farsë e perëndimit”

Gjykata Speciale përveç shumë udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngritur aktakuza edhe ndaj presidentit aktual, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veselit. Por, në Serbi janë të pakënaqur me gjykatën, thonë se ajo “po i mbron haptazi udhëheqësit e UÇK-së”.

Në Serbi thonë se “Gjykata Speciale është farsë e perëndimit”

Gjykata Speciale e formuar për të gjykuar ekskluzivisht krimet potenciale që dyshohet se mund të jenë bërë nga shqiptarët dhe e cilësuar shumë shpesh në Kosovë si një gjykatë e “njëanshme” dhe “raciste”, krejt ndryshe po vlerësohet në Serbi.

Një shoqatë serbe që funksionon nën emrin “Shoqata e Familjeve të Rrëmbyer dhe të Vrarë në Kosovë” është ankuar se Specialja nuk është asgjë më shumë sesa “një farsë e perëndimit”, shkruajnë mediat serbe, njofton Insajderi.

Sipas kësaj shoqate, shihet qartazi se gjykata “mbron haptazi udhëheqësit e UÇK-së”.

Ata kanë shprehur ankesa edhe për faktin se Gjykata nuk po i pranon dëshmitarët e zgjedhur prej tyre që të dëshmojnë në Speciale.

“Gjykata Speciale injoron dëshmitarët e Shoqatës së Familjeve të Rrëmbyer dhe të Vrarë në Kosovë, të cilët janë gjithashtu dëshmitarë kryesorë për krimet e kryera në vitin 1998 në Kosovë nga udhëheqësit e UÇK-së”./Insajderi.com