Me moton “Bashkë, pa kufi”, është mbajtur edhe mbledhja e radhës e dy qeverive shqiptare. Përveç shumë marrëveshjeve të nënshkruar, dy liderët shqiptarë janë zotuar se ambicie e tyre është heqja e kufirit në mes të Kosovës e Shqipërisë.
Mbledhja e sotme e dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, ka përfunduar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve në mes të dy shteteve, njofton Insajderi.
Marrëveshjet dhe memorandumet e përbashkëta të nënshkruara nga ministrat përkatës të të dy qeverive, janë shtrirë në fusha të ndryshme.
Një nga më të rëndësishmet ishte ajo e nënshkruar nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për “vlerësimin e krijimit të fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës”.
Gjithashtu, në mes të kryeministrit, Avdullah Hoti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, është nënshkruar “memorandum bashkëpunimi në fushën e transportit hekurudhor”.
Ndër marrëveshjet e tjera të nënshkruar ka qenë edhe ajo për “Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe raste të fatkeqësive të tjera”.
Njashtu edhe për “Bashkëpunim në fushën e sigurisë”, për “shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalit dhe për ndalimin e evazionit fiskal”.
Për formimin e “korridorit digjital” dhe “për themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”.
Po ashtu është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për prodhimin e përbashkët të produkteve kinematografike.
Kjo mbledhje e dy qeverive është mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Motja e saj ka qenë “Bashkë pa kufi”, për çka edhe dy kryeministrat janë zotuar se synojnë ta arrijnë në një të ardhme të afërt.
Nga njëra anë, kryeministri i Shqipërisë Rama, ka thënë se ambicia e dy shteteve do të jetë heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Evropian në rajon.
Ndërsa kryeministri Kosovar ka pohuar se me nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta “hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit tonë ndërshtetëror”./Insajderi.com
Marrëveshjet e nëshkruara janë këto:
1. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
2. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
3. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
4. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
5. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
7. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
8. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
9. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
10. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
11. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës ;
12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
13. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
14. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.