Deklarimi i Edi Ramës se Porti i Durrësit do t’i shërbejë Kosovës, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, e ka panikuar Aleksandër Vulinin. Ai ka alarmuar duke thënë se edhe ky deklarim tregon përpjekjen e vazhdueshme të Ramës për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Në mbledhjen e sotme të qeverive shqiptare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se de facto porti i Durrësit do të jetë porti i Kosovës, dhe ky deklarim i tij në Serbi është interpretuar si hapi i radhës për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”, njofton Insajderi.
Kështu e ka interpretuar deklaratën e Ramës, ministri serb i mbrojtjes, Aleksandër Vulin.
Ai, në një deklarim me shkrim, të cilin e transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, thotë se “Edi Rama, duke deklaruar se porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, vazhdon përpjekjet për të krijuar një ‘Shqipëri të Madhe’”.
Vulin ankohet edhe në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kur BE-ja dëgjon deklarata të tilla do të duhej të reagonte, por vazhdimisht nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Bashkimi Evropian, si çdo herë deri më tani, do të qëndrojë i heshtur ndaj kësaj deklarate dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim”./Insajderi.com