Nis sezoni turistik vjeshtë-dimër: Qytetarët e Shqipërisë ftohen t’i vizitojnë bukuritë e Kosovës

Nis sezoni turistik vjeshtë-dimër: Qytetarët e Shqipërisë ftohen t’i vizitojnë bukuritë e Kosovës

Përfaqësues të turizmit nga Kosova e Shqipëria, në Bordin e Dragashit kanë bërë thirrje për vazhdim të fushatës “Pusho Shqip”, meqë sipas tyre kështu do të zhvillohet ekonomia dhe do të punësohen qytetarët e vendit, njofton Insajderi.

Me moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, në Ditën Botërore të Turizmit është bërë hapja e sezonit turistik vjeshtë-dimër.

Zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj Halimi tha se sot po shënohet dita botërore e turizmit, duke uruar që pavarësisht gjendjes me pandeminë, të jëtë një fillim i mbarë. Ajo bëri thirrje që pushimet vjeshtë-dimër të kalohen në Kosovë, ashtu siç kosovarët kontribuon në turizmin e Shqipërisë gjatë sezonit veror.

“E di që situata me pandeminë krijon shumë rreziqe për turizmin në Kosovë dhe Shqipëri. Por uroj që secili qytetarë të kujdesimi për të. Zhvillimi i turizmit sjell të mira ekonomike dhe vendeve të reja të punës. Si qeveri do t’i japim prioritet të veçantë turizmit, sepse pa turizëm nuk ka zhvillim ekonomik”, tha ajo.

Në hapjen e Ditës Botërore të Turizmit, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se malet e Kosovës janë të Shqipërisë dhe se jemi shumë afër njëri-tjetrit e kjo gjë do të mundësonte të zhvillohet skijimi – sidomos në Brod.

“Nëse shohim shifrat 50 përqind e turistëve në Shëngjin, ashtu edhe në Velipojë janë nga Kosova në Shqipëri. 50 përqind është edhe numri i pushuesve edhe nga Shqipëria në Kosovë… ajo qe mendoj që është më rëndësi të shohim kapacitet hoteliere. Ka ardh koha që të shohim bashkë hartimin për rritjen e kapaciteteve. Nëse në Shqipëri ka kapacitet turistike, sot mungojnë këto në Kosovë që të kënaqim më shumë turistët. Është me rëndësi që këtu në Brod të zhvillohet skijimi. Jemi shumë afër njëri tjetrit por larg asaj që ofron”, tha ai.

Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban shabani tha se ky vend është unik, meqë pothuajse e gjitha treva është malore. Kështu sipas tij, ofrohen të gjitha kushtet për turizëm. Ai tha se ka nevojë për investime. /Insajderi.com