Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka lavdëruar presidentin e këtij shteti, Aleksandër Vuçiq “për mënyrën drastike sesi i ndryshoi gjërat në politikë në raport me Kosovën”.
Ajo në TV Prink tha se, është shumë e vështirë që Serbia t’i përgjigjet “propagandës shqiptare”, brenda ditës, gjatë kohës sa po fliste për dialogun.
“Përgjigja serbe ndaj propagandës së palës shqiptare ekziston, por ajo përgjigje nuk është e thjeshtë dhe nuk mund të jepet brenda një dite. Presidenti Aleksandar Vuçiq arriti të ndryshojë në mënyrë drastike gjërat në politikë, kryesisht në raport me Kosovën”, tha ajo, raporton agjencia e lajmeve serbe, Tanjug, transmeton Insajderi.
Kryeministrja e Serbisë glorifikoi Vuçiqin duke thënë se ka punuar me zell për shtatë vite.
“Ju mund ta shihni se ai e punoi atë me zell dhe këmbëngulje çdo ditë për shtatë vjet. Vuçiç është një politikan që nuk ka frikë të thotë të vërtetën dhe që nuk i bën lajka njerëzve në Serbi ose partnerëve tanë jashtë,” tha Brnabic. /Insajderi.com