Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se pritet që nesër të hiqet kushtëzimi për testimin PCR në kufi të Maqedonisë së Veriut me Kosovën, njofton Insajderi.
Në një komunikatë për media, Zemaj tha se ka komunikim të vazhdueshëm me homologun e tij maqedonas dhe se beson që nesër në mbledhjen e tyre të Qeverisë të largohet ky kushtëzim.
“Ne kemi qenë në komunikim intensiv me homologun tim maqedonas. Besojmë që nesër në mbledhjen e tyre të Qeverisë do të largohet kushtëzimi i testit PCR dhe do të kalojmë në një nivel tjetër të komunikimit dhe zbatimit të masave”, ka thënë Zemaj.
“Ne kemi punuar në komunikimin rajonal jo vetëm me Maqedoninë por me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe vendet perëndimore. Shtetet më të avancuara në sistemin shëndetësor e kanë hequr Kosovën nga lista e rrezikut për COVID-19, siç është Zvicra ku ju është dhënë mundësia që bashkatdhetarëve tanë të vizitojnë familjet e tyre”, ka shtuar ai.
Ministri i Shëndetësisë, ka njoftuar se do të shtohet edhe numri i specializantëve me një mijë e 500 të tjerë në të gjitha nivelet.
“Kosova, institucionet e saj, qeveria, do shtojë numrin me 1.500 specializantë që do u bashkangjiten kolegëve të tyre në institucionet shëndetësore. Do mbulohet nevoja imediate që jo vetëm i ka qitë pandemia, por të mos ketë ikje të mjekëve”, tha ai në konferencën e mbajtur të hënën, e në të cilën ishte paralajmëruar edhe vizita e kryeministrit Hoti. /Insajderi.com