Hoxha nga Prishtina, Shefqet Krasniqi, ka thënë se ndihet i pastër pavarësisht aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shtytjen në kryerjen e veprave terroriste.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi ka thënë se të gjitha ligjërata dhe shkrimet e tij kanë qenë transparente dhe publike.
“Për kontributin tim para, gjatë dhe pas lufte deri ditën e sotme jam ballëhapur dhe kokëlartë. Të gjitha ligjëratat e mia, shkrimet, publikimet janë transparente… Jam thellë i bindur se çdo përpjeke e imja ka qenë në përputhshmëri të plotë dhe në interes të përgjithshëm të popullit tonë, të atdheut tonë”, thotë Krasniqi.
Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me organet e drejtësisë, ngase nuk ka dyshim në pafajësinë e tij, dhe beson se në fund do të dalë triumfues.
“Nga ky kontekst dhe parim jam i bindur se në Kosovën tim ka mbetur qoftë edhe një pikë drejtësi, nuk ka dyshim se unë do të dal triumfues dhe ngadhënjyes”, u shpreh ai.
Ai shprehet se aktakuza i ka shkaktuar shqetësim atij dhe familjes së tij, sikurse dhe rrethit e shoqërisë, derisa ka thënë se këtë aktakuzë “nuk ia kemi pasur borxh askujt”.
“Jam i bindur në ndërgjegjen time të pastër dhe jam shumë komod në ndërgjegjen time. Dhe pa asnjë hezitim jam i gatshëm të ballafaqohem me organet e drejtësisë të dal faqebardhë dhe ballëhapur para shoqërisë dhe mbarë xhematit dhe para medieve. Mbi të gjitha, me këtë komoditet, dal edhe para Zotit nesër”, tha Krasniqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Krasniqi akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.
Aktakuza përshkruan se veprën e shtytjen në kryerjen e veprave terroriste, Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.
Sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës. /Insajderi.com