SHSKUK do të ankohet për vendimin e Inspektoratit ndaj ish-drejtorit Basri Sejdiu

SHSKUK do të ankohet për vendimin e Inspektoratit ndaj ish-drejtorit Basri Sejdiu

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka paralajmëruar se do ta dërgojë në gjykatë vendimin e Inspektoratit të Punës lidhur me shkarkimin e Basri Sejdiut nga posti i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, njofton Insajderi.

Sipas këtij bordi Inspektorati Punës me vendimin e marrë ka konstatuar një mori shkeljesh në shkarkimin e Sejdiut.

Përmes një komunikate për media, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, ka njoftuar se e ka pranuar vendimin, por duke shtuar se do të ankohet duke thënë se Inspektorati s’e ka vlerësuar gjendjen në mënyrë adekuate.

“Po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-144  për Zyrtarët Publik, si rrjedhojë do të procedojë këtë rast tek  institucionet kompetente,  konform dispozitave ligjore”, thuhet tutje në kumtesë.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka bërë të ditur se ka pranuar vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, që ka hedhur poshtë si të pa bazuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK–së, të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, vendim ky i cili ka anuluar vendimin e Bordit Drejtues të SHSKUK-së për shkarkimin e tij nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së. /Insajderi.com