Mustafa i reagon Osmanit: Na i humbe zgjedhjet duke u bërë kopje e Kurtit

Mustafa i reagon Osmanit: Na i humbe zgjedhjet duke u bërë kopje e Kurtit

Pas deklaratave të sotme të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh edhe ish-kandidate për Kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kjo parti ka përdhosur vullnetin e qytetarëve më 6 tetor, kreu i kësaj të fundit, Isa Mustafa, i ka dhënë përgjigje të gjitha kritikave të Osmanit, transmeton Insajderi.

Mustafa ka thënë për Express se Vjosa Osmani gjatë fushatës ka kopjuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ia ka humbur LDK-së zgjedhjet, meqë në hyrje të fushatës zgjedhore, LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje.

“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka shtuar tutje kryetari i LDK-së.

Për kritikat ndaj qeverisë dhe konstatimeve se ekzekutivi u është kundërvënë qytetarëve, Mustafa në këtë intervistë i ka rikujtuar Osmanit se Hoti është duke ushtruar pozitën që i takon me Kushtetutë, derisa thotë se është vetë ish-nënkryetarja e LDK-së që po vazhdon ta mbajë një pozitë që me Kushtetutë i takon Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.com