Shkrimi i Tages-Anzeiger fillon me titullin “Ministrat Serbë ofendojnë popujt fqinj”, derisa shpjegohet në detaje se si dështoi të ndodhë tranzicioni demokratik në Serbinë, që para 20 vjetësh, me rënien e tiranit Sllobodan Millosheviq, u duk që po futet në një fazë të re.
Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger ka shkruar për komentet e fundit ofenduese që bën ministrat serbë, Ivica Daçiq e Aleksandër Vulin, në raport me shqiptarët, por edhe boshnjakët.
Shkrimi i Tages-Anzeiger fillon me titullin “Ministrat Serbë ofendojnë popujt fqinj”, derisa shpjegohet në detaje se si dështoi të ndodhë tranzicioni demokratik në Serbinë, që para 20 vjetësh, me rënien e tiranit Sllobodan Millosheviq, u duk që po futet në një fazë të re.
“Një epokë e re duhet të kishte filluar në Serbi pikërisht 20 vjet më parë. Me 5 tetor 2000, tirani Slobodan Millosheviq, u hoq nga pushteti. Madje një gazetë në Beograd mbante titullin ‘Serbia është e lirë më në fund’. Perëndimi reagoi dhe premtoi bujarisht ndihëm për Serbinë. Por, euforia rreth ndryshimit në atë kohë tashmë është avulluar. Atentati ndaj kryeministrit pro-perëndimor, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003, ua bëri të qartë njerëzve që forcat e vjetra vështirë se kishin humbur diçka nga ndikimi i tyre. Dhe në vitin 2012 këto forca morën pushtetin përsëri”, thuhet në paragrafin hyrës të shkrimit të së përditshmes zvicerane, njofton Insajderi.
“Se çfarë do të thotë rikthimi i këtyre forcave në pushtet për diskursin politik duket në ditët e fundit, kur Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç dhe Ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin e lëshuan me rënie të lirë vullnetin për urrejtjen e popujve fqinjë”, vazhdon gazeta.
Daçiq ishte zëdhënësi i Millosheviqit në vitet 1990, kështu që ai e di fare mirë se si funksionon propaganda. Në një intervistë me transmetuesin privat serb Happy TV, kryediplomati serb tha se ‘viktimat e vërteta në Bosnjë ishin serbët, sepse vendi fqinj kërcënohet të bëhet një ‘shtet islamik’. Por ne nuk do ta lejojmë atë”.
“Fatkeqësisht, sipas Daçiq, bashkatdhetarëve të tij po u mungon talenti për t’u paraqitur si viktima”, vazhdon shkrimi i Tages-Anzeiger.
Gazeta shkruan edhe se si Daçiq “fyeu udhëheqësit politik të myslimanëve boshnjakë si ‘Ajatollahët’ dhe ‘bastardët’, të cilët ishin të vendosur për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
“Daçiq në mënyrë indirekte akuzoi bashkatdhetarët e tij për tradhti, pasi, sipas tij, ata po punojnë me gjyqësorin për të gjetur varret masive me kufomat e shqiptarëve të Kosovës”.
“Si duhet të veprojmë me ata serbë që zbulojnë se ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë?”, citon gazeta deklarimin e Daçiqit.
Më pas, në këtë shkrim, shpjegohet se si “gjatë luftës në Kosovë, një njësi speciale e policisë serbe transportoi rreth 1.000 trupa të shqiptarëve nga vendi i krimit në Kosovë në Serbi”.
Sikur të mos mjaftonin deklaratat e Daçiq, benzinë zjarrit i shtoi ministri tjetër serb, Aleksandër Vulin, duke folur për shqiptarët me terme fyese.
Ai përshkroi shqiptarët si “shqiptari” dhe siç shkruan edhe gazeta Tages-Anzeiger, ky term është ekuivalent me termin ofendues “zezak”, për të zinjtë në Amerikë.
“Në një vendim në 2018, gjykata në Beogradi arriti në përfundimin se termi ‘Shiptari’ është politikisht jo-korrekt dhe fyes. Por, për Vulinin kjo nuk është arsye për të pasur kujdes me fjalët që përdor. Përkundrazi”, thuhet në shkrimin e gazetës prestigjioze zvicerane, duke shtuar se ka edhe plotë media në Serbi që e përdorin po këtë term ofendues kur shkruajnë për shqiptarët.
Ndryshe, gazeta vazhdon shkrimin duke vlerësuar se Aleksandër Vulin është njeriu që njihet për deklarata të tilla në Beograd.
“Ai kurrë nuk ka bërë shërbim ushtarak, por i pëlqen të shfaqet me uniforma të stilit ushtarak. Ai gjithashtu e sheh veten si një i majtë, idhulli i tij është Che Guevara dhe midis heronjve të tij ai ka kriminelët serbë të dënuar për krime lufte. Vulin pendohet hapur që serbët nuk patën sukses në ndërtimin e një shteti të madh serb mbi rrënojat e Jugosllavisë në vitet 1990”.
“Si Vulin, ashtu edhe lideri socialist Daçiq konsiderohen rusofilë në qeverinë serbe”, përfundon shkrimi i gazetës me sqarimin për fitoren e fundit që Aleksandër Vuçiq, presidenti aktual serb, pati në zgjedhjet nacionale.
Teksti për Tages-Anzeiger është shkruar nga Enver Robelli. Përktheu në shqip Gazeta Online Insajderi.