Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë tregon se kush duhet të marrë vendimin për heqjen e vizave

Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë tregon se kush duhet të marrë vendimin për heqjen e vizave

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se për vendosjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të BE-së, duhet të marrë vendim presidenca e Këshillit të BE-së, që në këtë rast është Gjermania, transmeton Insajderi.

Në një videokonferencë për media, ku pjesëmarrëse ishte edhe Express, Szunyog tha se kjo arrihet me konsensus të shteteve anëtare të bllokut, duke shtuar se raporti i djeshëm i Komisionit Evropian i ka rekomanduar sërish Këshillit që liberalizimin e vizave ta fus në agjendë.

“Komisioni Evropian në korrik 2018 ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe raporti i publikuar dje rekomandon që Këshilli i BE’së të vendosë në agjendë sa më shpejt që është e mundur çështjen e liberalizimit të vizave. Çfarë mund të them është se është në diskrecionin e presidencës së Këshillit se çfarë duhet të vihet në agjendën e Këshillit dhe kjo duhet të ketë edhe konsensus të shteteve anëtare”, ka thënë Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë.

Ndërkaq nga qeveria gjermane sot gjatë ditës kanë konfirmuar se agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendën e Këshilli të BE’së që do të mbahet më 15-16 tetor. /Insajderi.com