OAK fton në takim shefat e grupeve parlamentare

OAK fton në takim shefat e grupeve parlamentare

Oda e Afarizmit të Kosovës sot ka mbajtur një takim me bizneset anëtare të saj, ku si rezultat i gjendjes së vështirë të të bërit biznes u kërkua që kjo Odë të ftojë në takim shefat e grupeve parlamentare, njofton Insajderi.

Temë kryesore e këtij takimi ishte mosvotimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike dhe mosshqyrtimi i kërkesave të bizneseve drejtuar Qeverisë dhe deputetëve, si dhe vështirësitë të cilat janë krijuar për sektorin privat si shkak i pandemisë.

Qëllimi i takimit me shefat e grupeve parlamentare është diskutimi lidhur me kërkesat e bizneseve rreth pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe votimit të saj në Kuvend.

Ftesa në mënyrë zyrtare i është dërguar shefave të grupeve parlamentare të: LVV, LDK, PDK, AAK dhe kryetarit të Nisma, dhe takimi është planifikuar që të mbahet në zyret e OAK-së nesër (08.10.2020) nga ora 09:00 para fillimit të seancës plenare ku për herë të gjashtë pritet që të jetë si pikë e rendit të ditës Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

OAK pret që shefat e grupeve parlamentare të përgjigjen pozitivisht ndaj kësaj ftese dhe të jenë prezent në takim. /Insajderi.com