Komuniteti i biznesit kërkon që të kalojë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Komuniteti i biznesit kërkon që të kalojë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Komuniteti i biznesit ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ata  thanë se miratimin e këtij projektligji e shohin si mënyrën e vetme për të shmangur kolapsin ekonomik.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se mosmiratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje do ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit.

“Në qoftë se vazhdon kjo Qeveri dhe ky Parlament me këtë neglizhencë ekstreme që janë duke ia bërë qytetarëve, punëtorëve që e mbajnë shtetin, sektorin privat dhe bizneseve do të kemi një tragjedi të jashtëzakonshme edhe pse edhe tani jemi në tragjedi, sepse do të ketë rënie të madhe të të hyrave për shtetin si rezultat i rënieve të mëdha dhe falimentimit të bizneseve. Ne i kemi paralajmëruar Qeverinë që nga shtatori, bizneset do të kenë të pamundur të mbajnë numrin e njëjtë të punëtorëve dhe rreziku është që nga 50 deri në 100 mijë vende të punës të jenë më pak. Në rast se kemi këtë, e gjasat janë që të kemi këtë rënie, atëherë do të kemi një rënie drastike të të hyrave për shtetin”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se për pakon e  Rimëkëmbjes Ekonomike, kërkohet të arrihet edhe një consensus që projektligji të kalojë

“Përtej vonesës në nisjen e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë Covid-19 dhe përtej rrezikimit të një numri të madh të ndërmarrjeve të cilat mund të mos i mbijetojnë efekteve negative të pandemisë, ajo çka nxjerrim si mësim nga mos arritja e votimit të projektligjit për rimëkëmbe ekono0mike në Kuvend është i nevojshëm të arrihet konsensusi nacional për çështje ekonomike, për çka ne si Odë Ekonomike Amerikane e kemi thënë tash e sa muaj. Për tema që kanë të bëjnë për zhvillim ekonomik, nevojitet një konsensus që i tejkalon numrat e koalicionit qeverisës”, deklaroi Zeka.

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës tha se miratimi i projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike e shmang kolapsin ekonomik në vend.

“Është shumë më rëndësi për shkak se ne mendojmë që ky projektligj e shmang kolapsin ekonomik në vend. Deputetët duhet të jetë të vetëdijshëm që nuk janë aty vetëm për interesin e vet apo interesa të ngushta politike, pse ata janë në Parlament janë edhe me krijua mirëqenie për qytetarët dhe përmes këtij projektligji ne besojmë që krijohet mirëqenia. Ky projektligj nuk ka të bëjë as me Qeverinë as me opozitën po ka të bëjë me qytetarët e vendit dhe besojmë që e rregullon dukshëm mirëqenien në vend”, tha Rukiqi. /Insaderi.com