Osmani publikon intervistën e Çanakut, ku kujton fjalët e Gjingjiqit: “Kush do të investojë në një shtet ku sa herë të mihësh tokë nxjerrë kafkë”

Osmani publikon intervistën e Çanakut, ku kujton fjalët e Gjingjiqit: “Kush do të investojë në një shtet ku sa herë të mihësh tokë nxjerrë kafkë”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një intervistë televizive të kryetari të Lidhjes Social Demokrate në Serbi, Nenad Çanak, i cili citonte liderin demokrat serb, Zoran Gjingjiq, duke thënë “Kush do të investojë në një shtet ku, kudo që të gërmoni me lopatë, do të dalë një kafkë”, ndërsa komentonte për varret masive me viktimat e shqiptarëve nëpër Serbi, njofton Insajderi.

Këtë intervistë kryekuvendarja e ka publikuar në profilin e saj në Twitter.

Gjatë debatit në emision “Çirilica”, Çanak para disa ditëve ka folur për deklarimet e ministrit te atëhershëm të policisë lidhur me ekzistimin e 16 varrezave të mundshme, për të cilat ishte marrë vendim që të mos flitej publikisht, njofton Koha, transmeton Insajderi.

“Ekziston një gjë tjetër, që ma bëri me dije se kemi telashe. Kishte qenë një mbledhje e Opozitës Demokratike. Më duket ti ke qenë aty Çedo, kur ministri i Policisë, Dushko Mihajlloviq, e tha këtë fjali ‘Nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me juve. I kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi’. Pra, 16 varreza masive në Serbi. Dhe kur kam parë se çfarë kemi gjetur aty – duhet ta ndaj këtë me ju – dhe të merremi vesh se çfarë duhet bërë me gjithë këtë. U paraqita për të folur, dhe i thashë se nuk e kuptoja pyetjen. Kjo ka qenë shpejt pas 5 tetorit, mbase janari a shkurti. ‘Çka të bëjmë me gjithë këtë’, i thashë, nuk po e kuptoj pyetjen. Nuk jemi këtu për t’i fshehur krimet e ish-regjimit, por që t’i zbulojmë. D.m.th. nesër konferencë për shtyp, t’i marrim me vete gazetarët prej një lokacioni në tjetrin që të bëhen xhirime e që më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë. Atëherë, Zoran Gjingjiqi, i cili përherë është mbajtur i rezervuar se nuk kishte qejf ta impononte mendimin e tij, ani që ka pasur peshë të madhe. Tha: ‘Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë’. Atëherë e kuptova se e kishim një problem të brendshëm serioz”, ishte shprehur Çanak. /Insajderi.com