Përfundon me sukses afati i dytë i Provimit të Maturës

Përfundon me sukses afati i dytë i Provimit të Maturës

Ka përfunduar me sukses afati i dytë i provimit të Maturës Shtetërore 2020, i cili është organizuar sot për tetë mijë e 300 maturantë në gjithsej 84 qendra testimi në të gjithë Kosovën, njofton Insajderi.

Kështu ka vlerësuar Komisioni i Maturës Shtetërore (KShM), pas raporteve të ardhura nga qendrat e testimit nëpër komuna, sipas të cilave gjithçka ka shkuar siç është planifikuar të organizohet testi në kushtet e pandemisë COVID-19.

Kryetari i KShM, Gëzim Berisha, ka falënderuar të gjithë akterët e përfshirë për përkushtimin e tyre që ky proces të kalojë sipas planifikimit, e në veçanti nxënësit, të cilët i kanë respektuar masat e rekomanduara nga institucionet kompetente të shëndetësisë.

Sipas një komunikate të MASHT-it, rezultatet e testit do të bëhen publike më 16 tetor 2020, ndërsa 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave, pas shqyrtimit do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shetërore për këtë vit. /Insajderi.com