Kryetari i Gjykatës së Apelit lëshon akuza se s’po prezantohen fakte për rastet e korrupsionit

Kryetari i Gjykatës së Apelit lëshon akuza se s’po prezantohen fakte për rastet e korrupsionit

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se shoqëria kosovare është duke vuajtur nga korrupsioni, njofton Insajderi.

Sipas Shalës, problemi qëndron se nuk është duke u gjykuar aq sa flitet në shoqëri për korrupsionin.

Shala ka thënë se ka ndryshuar gjendja sa i për ketë shqiptimit të dënimit për rastet e korrupsionit, pasi sipas tij para 3-4 viteve këto raste ishin dënuar me kusht.

“Nuk është diçka që unë do e zbulojë, por shoqëria është ka vuan prej korrupsionit. Kjo është më se e vërtetë, mirëpo sa jemi ne tu e gjykuar në atë masë sa flitet në shoqëri ne nuk jemi tu e gjyku. Nuk vjen për shkak se është problem. Duhet së pari hetimet me i bë Policia me Prokurorinë me u ngritë akuza tek atëherë me ardhur te ne. Kështu që çështja e korrupsionit është aq problem në Kosovë sa që shumë flitet e pak gjykohet, mirëpo edhe ato raste që vijnë tek në tani jemi duke i gjykuar si në shkallë të parë si në shkallë të dytë. Bile bile kemi rate kur edhe ne i kemi dënuar ku i kanë liru, i kemi dënuar, por Gjykata Supreme na i  ka konstatua edhe i ka prish që i kemi dënuar, mirëpo kjo çështje është për diskutim, thash ne duhet me biseduar, me u ul në mënyrë profesionale, korrekte t’i eliminojmë këto dilema”,

Tutje ai ka theksuar se dënimi me burg në rastet për korrupsion është një lloj preventive për ata që punojnë në institucionet publike pasi sipas tij, zyrtarët që punojnë në institucione duhet ta dinë që për veprime korruptive do të shkojnë në burg.

“Këtu nuk guxon me pas, nuk ka, kur ka të bëjë me korrupsion këtu nuk ka mëshirë ndaj askujt nëse është në pyetje edhe 10 euro. Se ai që i merr 10 euro i merr edhe 100 mijë euro. Këtu ka ndryshuar gjendja shumë ka ndryshuar gjendja  për të mirë, për shkak se e dimë shumicën e vendimeve para 3 viteve apo 4 kanë qenë me kusht. Tani nuk ka dënim me kusht. Të gjitha janë dënuar me burg. Kështu që edhe kjo është një lloj përvetimeve, se ai qytetarë, ai person që punon nëpër institucione duhet me dit që ka me u dënuar dhe ka me shkuar në burg për veprime korruptive”, ka thënë kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket gjykimit, apo dënimit të profileve të larta për raste të korrupsionit kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka thënë se nuk ka hetime, apo edhe nëse ngritët aktakuza, sipas tij, provat janë gjysmake.

“Profili i larë, jo s’ka ven, aty ka ven për tanë që i kryejnë veprat penale, s’ka hetim, nuk ka hetim… zhurmë u bë shumë. Po gjithmonë zhurmë kemi pas, gjithmonë kemi pas zhurmë. Mirëpo profilet e lartë nuk na ka ardhur, edhe kur na ka ardhur, ka ardhur me prova gjysmake, këtu është problemi”, ka thënë ai.

Ndiqeni emisionin e plotë “Betimi për Drejtësi” për sfidat e Gjykatës së Apelit.