Pas kalimit në lexim të parë, Trusti reagon lidhur me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Pas kalimit në lexim të parë, Trusti reagon lidhur me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trust), ka reaguar pas kalimit në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, njofton Insajderi.

Nga ky fond, bëjnë të ditur se të gjithë kontribuuesit do të njoftohen për aplikim dhe për detaje të tjera, pas kalimit të këtij projektligji në lexim të dytë dhe dekretimit nga Presidenti.

“Ligji i rimëkëmbjes ekonomike që mundëson tërheqjen prej 10%, ka kaluar sot (12.10.2020) në lexim të parë. Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thonë nga Trusti.

Sot, në përpjekjen e shtatë ka kaluar ky projektligj i cili mori 64 vota pro.

Me këtë projektligj qytetarët do të kenë të drejtë që të tërheqin 10% te mjeteve nga Trusti Pensional.

Vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi dy miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues. /Insajderi.com