Nëse angazhohen

Borrell: Arritja e marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë, çështje muajsh

Këto komente spanjolli i bëri pasi ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg, takim në të cilin, i dërguari i Unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raportoi për rrjedhën e këtij procesi dhe vazhdimin e tij.

Borrell: Arritja e marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë, çështje muajsh

Arritja e një marrëveshje finale në mes të Kosovës e Serbisë është çështje muajsh e jo vjetësh, ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njofton Insajderi.

Megjithatë, Borrell e pranon se dialogu është një proces tejet kompleks.

Këto komente spanjolli i bëri pasi ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg, takim në të cilin, i dërguari i Unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raportoi për rrjedhën e këtij procesi dhe vazhdimin e tij.

“Ky është një proces kompleks dhe dialogu nuk është i lehtë. Bisedimet po vazhdojnë, kemi pasur dy takime në nivel të lartë dhe nuk ka qenë gjithmonë lehtë. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar këtë dialog të vështirë. Të dy liderët, presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) dhe kryeministri i Kosovës (Avdullah Hoti), kanë thënë se i japin prioritet të lartë perspektivës evropiane të rajonit. Dialogu është një kusht i domosdoshëm për rrugën e tyre evropiane”, është shprehur Borrell, shkruan REL.

Ndonëse tha se BE-ja nuk do të vendosë afate artificiale për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Borrell konstatoi se një marrëveshje e tillë mund të arrihet shpejt, nëse palët angazhohen.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2011.

Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar po ashtu në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku në kuadër të këtij angazhimi, u arrit edhe një marrëveshje për normalizim ekonomik më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti amerikan, Donald Trump, qysh në tetor të vitit 2019, ka emëruar Richard Grenellin, si të dërguarin e tij të posaçëm për këtë proces./Insajderi.com