Çështja e personave të pagjetur tash e më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka përplasur deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, dhe kryeministrin, Avdullah Hoti, në seancën plenare të Kuvendit, njofton Insajderi.
Deputetja Bogujevci tha se Kosova nuk mund të barazohet me Serbinë sa i përket çështjes së personave të pagjetur apo çfarëdo teme tjetër që ka të bëjë me krime lufte në Kosovë.
Tutje ajo shtoi se nëse vazhdohet në të njëjtën formë sipas zotimeve në Uashington, është e turpshme dhe e papranueshme për Qeverinë Hoti të vazhdojë në këtë mënyrë.
E kryeministri Hoti, si reagim ndaj kësaj deklarate tha se në raportimin e parë që ka pasur në Kuvend për të pagjeturit, ka prezantuar në detaje qasjen e qeverisë për zbardhjen e fatit të tyre.
Deputetja Bogujevci ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Hoti, duke thënë se duhet të ketë një dokument të qartë për adresimin e kësaj çështjeje të ndjeshme në bisedimet me Serbinë.
Kryeministri Hoti ripërsëriti se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare pa u adresuar edhe çështja e të pagjeturve./Insajderi.com