MZhE në 2019-ën shfrytëzoi vetëm 60% të buxhetit, pagoi 18 punëtorë – ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” – pa shkuar fare në punë

MZhE në 2019-ën shfrytëzoi vetëm 60% të buxhetit, pagoi 18 punëtorë – ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” – pa shkuar fare në punë

Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për vitin 2019, thekson se kjo ministri ka shpenzuar vetëm 60 për qind të buxhetit final, që është një rënie prej 35 për qind krahasuar me vitin 2018. Kjo është kritikuar nga deputetët anëtarë të Komisionit për mbikëqyrje të Financave Publike, duke thënë se është një nga ministritë me realizimin më të ulët të buxhetit.

Ky raport është shqyrtuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, e ku është theksuar se në këtë ministri ka mungesë të evidencës për vajtje ardhjet në punë, ku në këtë ministri pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 18 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, ku kjo ministri nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës.

Megjithatë Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë pagesën e pagave vjetore për këtë punonjës mbi 92 mijë euro.

Kryetari i komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Bedri Hamza, ka prezantuar të gjeturat e raportit të Auditimit për këtë ministri për vitin 2019./Insajderi.com