Goran Rakiq, përfaqësues i Listës Serbe dhe aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se serbët e Kosovës do ta shqyrtojnë se kur do t’i braktisin institucionet e Kosovës.
Kërcënimi i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës se do t’i braktisin institucionet qendrore dhe lokale në rast se nuk formohet së shpejti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, shërben si formë presioni dhe shantazhi ndaj Qeverisë së Kosovës, sidomos marrë parasysh brishtësinë që ka kjo e fundit, thotë politologu Ramush Tahiri. Megjithatë, sipas tij, edhe nëse kërcënimet realizohen, serbët nuk do të fitonin asgjë.
Natasha Dragojloviq, koordinatore e Konventës kombëtare të Serbisë për Bashkimin Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushdo që ka marrë vendimin për kërcënimin me braktisje të institucioneve të Kosovës nga serbët, nuk i ka përllogaritur mirë dobitë dhe dëmet.
Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, ka theksuar se nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga Marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë. Ai paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Pas kësaj deklaratë të Petkoviqit edhe Goran Rakiq, përfaqësues i Listës Serbe dhe aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se serbët e Kosovës do ta shqyrtojnë se kur do t’i braktisin institucionet e Kosovës.
Lidhur me deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, e në veçanti të deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Rakiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria që ai drejton nuk pranon asnjë kërcënim prej askujt dhe nuk punon nën kërcënimet e askujt.
Shkrimi i plotë në Radio Evropa e Lirë.