Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka bërë përurimin e ndërtesave-shtëpive të banimit, punimet e të cilave janë̈ zbatuar në kuadër të programit: Masa preventive-intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit, njofton Insajderi.
Dumoshi, gjatë vizitës së saj, ka thënë se është e lumtur për përfundimin e tyre, pasi që siç thotë ajo, çdo shtëpi ka një histori.
Dumoshi gjithashtu ka premtuar edhe për vazhdimin e punimeve në shtëpi të tjera.
“Është kënaqësi, dhe ndjenjë e veçantë sepse në çdo shtëpi ka një histori, ne tani u takuam me zonjën e shtëpisë të familjes Dugagjini, e cila është një familje e njohur, intelektuale, dhe e kanë ditur rëndësinë e shtëpisë dhe asnjëherë nuk e kanë lëshuar….Gjithashtu edhe familja Doda, pra ky është kompleksi me i rëndësishëm i jonë kombëtar, dhe kemi Lidhjen e Prizrenit, dhe këto familje të cilat kyçën në oborrin e Lidhjes së Prizrenit. Ne do të vazhdojmë me punimet, pra sot i kemi, prej tetë shtëpive të parapara, shtatë prej tyre kanë përfunduar”.
Ministrja Dumoshi gjithashtu ka thënë se janë duke punuar në rrugën “Marlin Barleti”, i cili është procedua si aktivitet i prokurimit të Ministrisë së Kulturës dhe do të punohet që ai projekt, i perimetrit i “Marlin Barleti”, të kryhet sa më shpejtë.
Dumoshi më pas vizitën e ka vazhduar për tek Kalaja e Prizrenit, nga ku ka kërkuar të jemi të përgjegjshëm sa i përket thesarit që ka Kosova.
Dumoshi ka thënë se Kalaja e Prizrenit, shumë shpejt do të ketë ciceron dhe njerëz që do ta mbikëqyrin këtë pjesë.
Ndërsa Shafi Gashi, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka thënë se është bërë punë e madhe sa i përket Trashëgimisë Kulturore, si dhe shpreson që ky përkushtim të vazhdoj tutje.
Gashi thotë se krahas këtij përkushtimi, shpreson që edhe Instituti Arkeologjik ta rrisë nivelin e punës, që kulturën e Kalasë se Prizrenit ta prezantojë sa ma bukur./Insajderi.com