Deputeti i NISMA-s: Nuk do të ketë Asociacion pa njohje

Deputeti i NISMA-s: Nuk do të ketë Asociacion pa njohje

Deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Endrit Shala, i reagoi të enjten të dërguarit të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak.

Diplomati evropian në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Prishtinë, mbajti një konferencë për media pas takimeve me përfaqësuesit institucionalë e liderët partiakë.

Ai edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian se “Kosova duhet ta implemtojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Në vitin 2015 ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshja e Bruselit ku palët e bisedimeve; Kosova e Serbia ishin pajtuar për themelimin e  Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, disa nga pikat e asaj marrëveshjeje dolën të jenë ‘anti-kushtetuese’.

E pikërisht sot Lajçak, tha se “Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion”.

“Ashtu siç nuk do të ketë Asociacion pa Marrëveshje për Njohje Reciproke”, ishte reagimi i deputetit Shala në Facebook.

Për dialogun mes Kosovës e Serbisë janë të dërguar nga aleanca euro-atlantike; Richard Grenell i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian. Ka pasur pretendime se “ekzistojnë” divergjenca sa i përket orientimit të dialogut.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës vazhdimisht potencon se është e interesuar “vetëm për marrëveshje finale”, jo edhe kthimi i formave të mëparshme teknike të dialogut. /Insajderi.com