Haxhiu reagon pas deklaratës së Mustafës për Asociacionin

Haxhiu reagon pas deklaratës së Mustafës për Asociacionin

Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherësh edhe anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili gjatë ditës së sotme ka publikuar një dokument që kishte pranuar nga ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ku thuhet se ky asociacion nuk do të ketë fuqi ekzekutive, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe asaj radhe, një kryeministër i Republikës së Kosovës, garancën e interesit dhe integritetit të Republikës ia paska pas deleguar një pale të tretë, në këtë rast fasilituesit”.

“Letra e znj. Mogherini e datës 24 gusht si garancë për marrëveshjen e 25 gushtit mund të ketë vlejtë maksimumi deri më datën 23 dhjetor 2015, atëherë kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, institucioni i vetëm dhe suprem për interpretime kushtetuese, e shpalli garancën e znj. Mogherini të pavlerë e marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, shkruan tutje Haxhiu. /Insajderi.com