Ish-anëtari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Anton Berisha, ka konfirmuar se është rikthyer në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës kishte qenë edhe më parë, transmeton Insajderi.
Ish-zëvendësministri nga AAK, Berisha ka thënë se asnjëherë nuk i ka shkëputur kontaktet me njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nga idetë burimore të kësaj partie.
Berisha u shpreh se gjersa ishte në Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës ka përfaqësuar ide që kanë qenë të lidhura me ish-kryetarin e parë të LDK-së, Ibrahim Rugovën.
Madje, ditë më parë ishte takuar edhe me deputetin e Lidhjes Demokratike, Fetah Rudi.
“Une Fetahun e kam mik të vjetër, e kam taku Fetahun e Ilirin e të gjithë ata i kam miq, prindërit e tyre i kam miq dhe i takoj vazhdimisht, unë kurrë nuk jam shkëput prej raporteve të mira me Lidhjen Demokratike e njerëzit e saj edhe kurrë nuk jam shkëput prej ideve të saj burimore, prej formimit të saj me Ibrahim Rugovës prej viteve të ’90-ta”, tha ai për indeksonline.
“Pasi jam kthyer prej pozitës së ambasadorit atëherë janë kan disa kontekste politike që i kanë ndryshuar situatat, pasi ka pasur shumë ndryshime. Unë kontaktet me Ramushin i kom pas pikërisht prej koalicionit të Rugovës me Ramushin d.m.th si korrektësi shtetërore, por LDK-ja është ideja jem dhe në Aleancë kam përfaqësu ide që kanë qenë të lidhura me LDK-në e Rugovën, kështu që ajo është natyrshëm dhe kjo ide është e vazhdueshme ajo ide”, shtoi ai.
“Unë jam në vazhdimësi në kontakte me LDK-në. Unë jam i rikthyer praktikisht në LDK”, ka thënë ai. /Insajderi.com