Tahiri i reagon Lajçakut: Jo Kosova, por Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën

“Kushtetuta nuk është bibël” tha dje Miroslav Lajçak, duke aluduar kështu në idenë që ajo mund të ndryshohet nëse është e nevojshme. E kishte fjalën për Kushtetutën e Kosovës. Nevoja e ndryshimit të saj vjen për shkak të mundësimit të implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Lajçakut I kanë reaguar në Kosovë. Mes tyre, Edita Tahiri. Ajo pohon se Kushtetuta duhet të ndërrohet po ashtu. Porse jo e Kosovës, por e Serbisë.

Tahiri i reagon Lajçakut: Jo Kosova, por Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën

Kosova s’ka pse e ndryshon Kushtetutën e vet, por Serbia duhet ta bëjë këtë, duke hequr Kosovën nga Kushtetuta.

Kështu ka thënë, Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës në Bruksel, duke iu kundërpërgjigjur – në distancë – përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili deklaroi se mbase duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, në mënyrë që të krijohet mundësia e implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Emisari i BE për dialog Miroslav Lajçak kërkoi zbatimin e Asociacionit madje paska shkuar më larg duke kërkuar ndryshimin e kushtetutës së Kosovës. Qeveria jone u desht të kërkoj që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën duke hequr Kosovën nga kushtetuta e saj. Por nuk dëgjuam se Qeveria jonë ka kërkuar dicka të tillë. Gjatë kohës sime si Kryenegociatore në dialogun e Brukselit kam kërkuar vazhdimisht si dhe kam dërguar një memorandum tek BE-ja për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, duke theksuar se kjo është pikënisje drejt njohjes reciproke dhe jo ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në Facebook, njofton Insajderi.

Dje, derisa po qëndronte në Beograd dhe po fliste për Asociacionin, Lajçak, në deklarim e sipër, tha se “ Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”./Insajderi.com