Kurti jo-neutral

Albin Kurti fton shqiptaro-amerikanët të votojnë për Joe biden

Albin Kurti fton shqiptaro-amerikanët të votojnë për Joe biden

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dhënë përkrahje kandidatit demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Përmes një video-incizimi në Facebook, ish-kryeministri kërkoi nga diaspora shqiptare në Amerikë që ta votojnë Biden për president në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit”, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Përpos çështjeve që lidhen në raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka përmendur edhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Lideri i Vetëvendosje ka pasur disa përplasje me të dërguarin special të Trump-it për dialogun, Richard Grenell, për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes me Serbinë.

Madje, vetë ish-kryeministri kishe potencuar se “ishte Grenell iniciues i shkarkimit të tij”, në mars të këtij viti.

Kanë mbetur pak javë nga dita kur amerikanët do të zgjedhin në mes presidentit aktual, Donald Trump apo rivalit nga Partia Demokratike, Joe Biden. /Insajderi.com