Projektligji për UÇK-në dështoi të votohej për herë të shtatë: PDK nuk tërhiqet, VV e quan ligj të dobët

Projektligji për UÇK-në dështoi të votohej për herë të shtatë: PDK nuk tërhiqet, VV e quan ligj të dobët

Me 36 vota pro, Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka arritur as për të shtatën herë të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Iniciatorët e këtij ligji, Partia Demokratike e Kosovës, mos marrjen pjesë në votim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po e sheh si veprim të papërgjegjshëm, e nga LVV thonë se ky ligj është i dobët për një vlerë kaq të madhe, transmeton Insajderi.

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, thotë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së po sillen në mënyrë të papërgjegjshme karshi këtij projektligji, duke shtuar se është e çuditshme se si deputetët nuk marrin guxim që të votojnë këtë projektligj, madje as të votojnë kundër.

“Kemi pasur një konsensus të përbashkët, të gjithë partitë politike jemi dakorduar që po do ta votojmë këtë projektligj në leximin e parë dhe më pastaj shqetësimet, komentet, ankesat, çështjet e tjera do t’i trajtojmë në leximin e dytë, sepse vetëm në këtë formë na krijohet ajo mundësi. Kanë zgjedhur një rrugë tjetër, një rrugë për mos ta votuar dhe një rrugë që ta dezinformojnë qytetarin, thjeshtë duke iu thënë se me këtë projektligj po tentohet që të mbrohet një grup i caktuar i njerëzve të luftës apo i strukturës komanduese, që në fakt nuk është fare ashtu, nuk qëndron as ajo pjesa kur supozohet se po kufizohet liria e shprehjes apo fjala e lirë, sepse ky ligj nuk e cenon, as lirinë e shprehjes, as fjalën e lirë. Prandaj, për ne fryma e këtij ligji është mbrojtja dhe vlerësimi i një pjese të veçantë të historisë tonë siç është ajo e luftës së UÇK-së”, thotë ai për KP.

Megjithatë, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, thotë se nuk do të heqin dorë nga ky projektligj, e këtë thotë se ua kanë bërë të qartë të gjitha grupeve parlamentare.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, thotë se arsye se pse nuk po marrin pjesë në votim për këtë projektligj është për shkak se si i tillë nuk i përmbush as për së afërmi vlerat që ka UÇK-ja.

Ai theksoi se vlerat e luftës së UÇK-së do të duhej të ishin të mbrojtura me Kushtetutë dhe të mos kishte nevojë fare për një ligj të tillë.

“Ne duam që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të jetë vlerë e shquar e mbrojtur, ashtu siç është e madhe, por projektligji në rastin konkret nuk i përmbush as për së afërmi ato kërkesa që ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vlera e saj. Prandaj, kemi kërkuar që ta tërheq këtë ligj dhe ta bëjë një ligj ose të mos ketë fare nevojë për ligj, këto vlera të ishin të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Janë të njëjtët faktor të cilët nuk e kanë marrë mundin në kohën kur është bërë Kushtetuta e Kosovës që ta përfshijnë UÇK-në e as luftën e popullit shqiptar për liri. Tash në një moment të caktuar në një periudhë të caktuar…ata po kërkojnë që ta fusin këtë projektligj, por po ashtu edhe me një këmbëngulësi të pakuptueshme, sepse duan me patjetër një ligj të dobët për një vlerë kaq të madhe”, thotë Selimi. /Insajderi.com