Fundviti i pret me humbje deri në një miliard euro – Bizneset thirrje Qeverisë: Mos të ketë shtrëngim të masave

Fundviti i pret me humbje deri në një miliard euro – Bizneset thirrje Qeverisë: Mos të ketë shtrëngim të masave

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, vlerëson se në rast të shpërthimit të valës së dytë të Coronavirusit, mbyllja totale është hap i gabueshëm, pasi që sipas tij, njerëzit duhet të punojnë dhe njëkohësisht të mësohen të jetojnë me virusin, njofton Insajderi.

Shahini i ka sugjeruar institucioneve të vendit që mos të ketë mbyllje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, ngase ekonomia e këtyre vendeve ndërlidhet njëra me tjetrën.

“Shtrëngimi i masave në kuptim jo të mbylljes janë të nevojshme, por mbyllje nuk do të ketë më asnjëherë, dhe nuk do t’i sugjerojmë institucioneve të Kosovës, që të mbyllet ekonomia siç ka qenë sepse është parë dhe vërtetuar se kjo ka qenë një hap i gabueshëm, sepse ne duhet të punojmë të jetojmë dhe duhet të mësohemi të jetojmë me virusin dhe me masat mbrojtëse, por ekonomia e vendit duhet të ec përpara pa mbyllje, pavarësisht çka ndodh në të ardhmen shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi nuk duhet të mbyllen sepse ekonomia e saj është e lidhur, dhe qytetarët janë të lidhur në forma qoftë ekonomike apo kulturore sportive, dhe është parë që kjo ka qenë e dëmshme dhe ne duhet t’i marrim masat e shteteve të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai për EO.

Mes tjerash ai ka potencuar se Pakot Ekonomike nga Qeveria janë të mirëseardhura, por nuk janë të mjaftueshme.

“AKB-ja mendon se këto pako ekonomike janë të mirëseardhura por janë të vogla por ne i vlerësojmë edhe mundësitë e buxhetit sepse edhe buxheti ka tkurrje, ekonomia ka tkurrje mbi 10%  edhe në qarkullim të brendshëm ka rënie dhe të gjitha këto kërkojnë një pako më stimuluese, po ashtu edhe falje të ndëshkimeve të borxheve, sepse zjarrfikës i krizës ekonomike në vend duhet të jetë Qeveria me politika lehtësuese”, është shprehur tutje ai.

Shahini ka thënë se deri në fund të vitit humbjet e shkaktuar nga pandemia do të jenë rreth 1 miliard euro.

“Dëmet janë të pamatshme dhe nuk ka mekanizëm që mund ti jep saktë shënimet por AKB-ja e ka vlerësuar që deri në fund të vitit humbje do të jenë rreth 1 miliard euro, pakoja e cila është planifikuar e rreth 365 milionë është një e treta e asaj dhe qeveria do të duhet të prodhon më shumë ligje që kanë të bëjnë me mbështetje të ekonomisë së vendit por edhe që kanë të bëjnë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve dhe të prodhuesve në drejtimin e kësaj 60 milionëshi që ishte hap i parë, nuk janë të mjaftueshme, por nis nga fakti që institucionet e shtetit po heziton t’i miraton ligjet që kanë të bëjnë me rimëkëmbje ekonomike kjo është një zhgënjim i bizneseve i qytetarëve ne parlamentin e Kosovës”, ka thënë Shahini. /Insajderi.com