Dumoshi e quan vendim historik aprovimin e tarifave për kompensimin e krijuesve dhe autorëve

Dumoshi e quan vendim historik aprovimin e tarifave për kompensimin e krijuesve dhe autorëve

 

Qeveria e Kosovës, duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka miratuar vendimin për aprovimin e Tarifave të Përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit, njofton Insajderi.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cilësoi këtë si vendim historik për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit e vendit tonë.

“Sot Qeveria Hoti ka marrë vendim për miratimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur dhe të drejtën e autorit me rastin e ritransmetimit, përmes të cilit vendoset kompensimi i drejtë dhe adekuat për autorët, krijuesit e investitorët e veprave audio-vizuale. Me këtë vendim, krijohet një sistem funksional i drejtës së autorit që u mundëson bartësve të drejtave kompensimin të drejtë për veprat e tyre, si dhe përmbushet obligimi për zbatimin e të drejtave pronësore intelektuale që dalin nga neni 77 dhe 78 i MSA-së”, tha Dumoshi.

Vendimi siguron zbatimin e Ligjit për të drejtën e autorit dhe obligon të gjithë operatorët kabllorë dhe subjektet tjera që bëjnë ritransmetim të kanaleve televizive t’i përmbahen këtij vendimi.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e kompensimit të krijuesve, autorëve dhe mbajtësve të tjerë të drejtave, si dhe rëndësinë për krijimtarinë intelektuale dhe kulturore, uroj krijuesit, artistët dhe autorët për këtë vendim historik, për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit në vendin tonë”, vijoi Dumoshi.

Ndryshe, tarifat bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive:

  1. Deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues;
  2. Nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues;
  3. Nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe
  4. Mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues./Insajderi.com