Kroacia e mbështet liberalizimin e vizave, por thonë se kjo varet nga BE

Kroacia e mbështet liberalizimin e vizave, por thonë se kjo varet nga BE

Deputetja shqiptare e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, deklaroi se shteti kroat ka vullnetin të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo sipas saj, kjo çështje varet nga Bashkimi Evropian, njofton Insajderi.

Ajo tutje u shpreh se bizneset kroate nuk e shohin një vend të sigurt Kosovën për të bërë investime, e këtu sipas saj ndikojnë edhe turbulencat politike në vend.

“Sa i përket bashkëpunimit politik është në një nivel të duhur, mirëpo këtu mungon bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik, dhe mendoj që Kosova mund të mësojë shumë nga Kroacia, sepse Kroacia e ka vullnetin të jetë mbështetëse e Kosovës për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian, pra për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian këtu e ka mbështetjen më të fortë Kroacinë”, thotë ajo.

Ajo potencon se bizneset kroate nuk e shohin një vend të sigurt Kosovën për të bërë investime, për çka tha se është duke punuar që të rihapet Oda Ekonomike atje.

“Turbulencat politike që janë brenda në Kosovë dhe një pasiguri. Mendoj që kur të arrihen këto gjëra që të bëhet një siguri më e fortë këtu në Kosovë, atëherë do të jetë edhe interesimi më i madh i kroatëve të investojnë këtu. Edhe pse njëjtë është një mangësi se në vitin 2013 është mbyllur Oda Ekonomike dhe jam duke punuar në atë drejtim që të rihapet prapë Oda Ekonomike që bizneset kroate dhe kosovare të kenë një bashkëpunim më të ngushtë dhe ta kenë një adresë të caktuar ku do të marrin pjesë dhe ku do të komunikojnë”, potencon ajo.

Deputetja Lekaj-Përlaskaj foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për çka thotë se shteti i Kroacisë e ka mbështetur Kosovën në këtë aspekt.

“Unë mund të them një gjë që liberalizimi i vizave varet nga Bashkimi Evropian nga Brukseli, sa i përket Kroacisë e di që Kroacia e ka ndërmarrë këtë iniciativë. Mirëpo, prapë duhet të kthehem nga kjo që edhe Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte, disa kapituj të cilat janë dhënë si kusht nga ana e Bashkimit Evropian”, thotë ajo. /Insajderi.com