Nuk ka kuorum për miratimin e Projekt-Kodit Civil

Nuk ka kuorum për miratimin e Projekt-Kodit Civil

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të miratojnë në parim Projekt-Kodin Civil të Kosovës, njofton Insajderi.

Me vetëm 28 vota pro ndaj këtij Projekt-Kodi, nuk është bërë e mundur vendimmarrja për aktin e dytë juridic më të lartë në vend.

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike nuk votuan pro tij, për shkak të pakënaqësive për këtë kod.

Derisa, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha kjo pikë do të përsëritet në seancën e radhës.

“28 vota për, një kundër dhe dy abstenime. Nuk ka kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje prandaj do të përsëritet në seancën e radhës”, tha ajo.

E deputeti i LVV-së, Artan Abrashi kërkoi që ky projekt-kod të tërhiqet nga Qeveria.

“Ky projekt-kod duhet të tërhiqet në qeveri. Vërejtjen dhe sugjerimet tona nuk po merren parasysh. Nuk ka vullnet që me përmirësua këtë produkt mbi bazën e diskutimeve që i bënë deputetët në Kuvend, e ata janë që miratojnë një akt të tillë”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se në disa nene të këtij projekt-kodi ka paqartësi.

“Si deputete kanë evidentuar disa paqartësi në disa nene që janë të paqarta. Duhet sqaruar më tej dhe disa tjera që duhet ri definuar gjatë dy leximeve në Kuvend…nëse partitë në pushtet sot nuk arrin të sigurojë 61 vota atëherë nuk do të duhej fare të diskutojmë këtë çështje. Minimumi do të duhej që të kishte një përfshirje më të gjerë dhe mos të kemi polarizimi”, tha ajo. /Insajderi.com