Ekspertët zviceranë të rastit të Astrit Deharit, do të qëndrojnë të enjten dhe të premten në Kosovë.
Për këtë vdekje është duke u hetuar nga Institucionet kompetente të vendit, por familja e Deharit po shprehë pakënaqësi me punën e Prokurorisë.
Ndërsa, avokati, Tomë Gashi, deklaroi se njerëzit vinë në zyrën e tij dhe japin informacione për vdekjen e Deharit.
Madje, sipas tij “një avokat që ka qenë gjatë ditës kritike të 5 nëntorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është paraqitur në zyrën e tij”.
“Është edhe një risi që persona të caktuar janë duke u lajmëruar faktikisht në zyrën time për të dhënë informata shtesë në lidhje me atë që ata dinë për rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Deri më tani është lajmëruar edhe një avokat, i cili ditën kritike më 5 nëntor të vitit 2016 ka qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ka deklaruar, por ka qenë jashtëzakonisht i frikësuar, që ka pasur faktikisht gjëra jo të zakonshme dhe që vizitën që e ka pasur për një klient tjetër ka qenë diku sipas tij në orët e ditës. Pra, një situatë e jashtëzakonshme gjë që na bën të dyshojmë se ngjarja ka ndodhur tragjikisht, siç është raportuar”, tha Gashi. /Insajderi.com