Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ktha se në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të bëhen pjesëmarrës të nismës rajonale, e njohur si mini-shengen, meqë kështu kanë sugjeruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Insajderi.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Hoti ka thënë se zotimi i Kosovës për t’u bashkangjitur në këtë nismë duhet parë si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
“Zotimi ynë për bashkëngjitjen në iniciativë ne quajtur mini-shengen duhet parë në vazhdimësi si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal. Kosova në këtë nismë do të jetë bashkëpronare e plotë e përkufizimit të nismës duke ruajtur çdo interes të Kosovës. Nisma për mini-shengen është në fazën fillestare dhe Kosova do të bëhet pjesë e hartimit të këtij organizimi. Rrjedhimisht Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të harmonizimit të aranzhimeve dhe të strukturës, si dhe aspektin legjislativ, duke u përkujdesur që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me ligjet në Kosovë”
Në seancën e Kuvendit, ku Hoti është thirrur në interpelancë rreth çështjes së mini-shengenit, Hoti tha se Kosova do të mbrojë gjithmonë interesat e bizneseve dhe qytetarëve.
Hoti shtoi gjithashtu se kushtet e barabarta për Kosovën në nisma rajonale mund të arrihen vetëm me pjesëmarrjen e shtetit aty./Insajderi.com