Reagon NISMA për skandalin 2 milionësh

Reagon NISMA për skandalin 2 milionësh

Subjekti politik që udhëhiqet nga Fatmir Limaj, ka reaguar pas vjedhjes së 2.1 milionë euro nga arka e shtetit.

Të mërkurën e 21 tetorit, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se “janë kryer disa transaksione të dyshimta”.

Transaksione që me vete bartin vlerën e 2 milionë e 100 mijë euro të zhdukura nga thesari i shtetit.

Për këtë, Nisma Socialdemokrate, përmes një komunikate ka shprehur distancim ndaj këtij “akti kriminal”.

“NISMA Socialdemokrate dënon aktin kriminal të vjedhjes së mbi dy milion eurove nga buxheti i Kosovës. NISMA Socialdemokrate jo vetëm që distancohet, por është e pakompromis në luftën kundër krimit ndaj kujtdo qoftë që zgjedh të përfshihet në veprime të tilla kriminale, pa dallime, qoftë votues apo anëtar i yni, të tillët nuk kanë vend në familjen tonë politike”.

Është përmendur se një pjesëtar i këtij subjekti politik është i përfshirë në këtë aferë vjedhjeje, e për këtë Nisma potencon se “Tendencat për të njollosur partinë politike përmes veprimeve kriminale të individëve efshtë veprim i papërgjegjshëm që për qellim nuk ka luftën kundër krimit, por dëmtimin e një subjekti politik”.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të angazhohen me vendosmëri të madhe dhe sa më shpejt që është e mundur t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij krimi të rendë financiar”, thuhet në reagim. /Insajderi.com