Vuçiqit i pengon përmendja e “dy shteteve” nga Hoti: Mos e thuaj më këtë, ka vetëm një shtet

Vuçiqit i pengon përmendja e “dy shteteve” nga Hoti: Mos e thuaj më këtë, ka vetëm një shtet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që të mos e përdorë fjalën “dy vende”, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, pasi që sipas tij, ekziston vetëm një, i cili është i njohur nga të gjithë, njofton Insajderi.

Këtë kërkesë nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Vuçiq e bëri në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Beogradë në formë elektronike si pasojë e pandemisë, në të cilin po merr pjesë edhe i emëruari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, si dhe përfaqësuesit amerikanë, Ryan Tully dhe Vameron Munter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka kërkuar Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti që të mos e përdorë togfjalëshin “Kosova dhe Serbia janë dy shtete”.

“Hoti vazhdimisht po përmend: dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete, në këtë takim por edhe në takimet tjera. I them të mos e përdorë këtë mijëra herë. Nëse do afrim mes nesh mos e thuaj këtë gjithmonë. Ne e dimë çfarë mendon”.

“Dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete… Nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së në akordancë me Rezolutën 1244”, është shprehur Vuçiq.

“Duhet ta respektojmë njëri-tjetrin. Kur flasim për zgjidhje kompromisi nuk mund të flasim që Serbia ta njohë Kosovën dhe Kosova ta njohë Serbinë. Kemi nevojë për kompromis”.

Vuçiq ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin e marrë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ka vetëm një obligim për shqiptarët, që ta formojnë AKS-në. Cila ishte përgjigja sot? ‘Nuk e formojmë para se Serbia ta njohë Kosovën’. Ajo është nënshkruar dhe garantues për të është BE. Nëse jeni pajtuar për diçka duhet ta realizoni. Të dy palët duhet të jemi barabarsisht të kënaqur ose së paku të kënaqur nëse duam zgjidhje kompromisi. Nëse do të ketë marrëveshje kompromisi duhet të ketë kompromis. Nëse do e njihnim Kosovën, që nuk  do të ndodhë kurrë, çfarë do të bënin shqiptarët? Do të thoshin se tani serbët janë djem të mirë?”.

Vuçiq gjithashtu tha se shumë serbë nuk e dinë çfarë po ndodhë në Prizren, Kaçanik, Xërxë apo Gjakovë, por janë disa çështje tjera si krijimi i Asociacionit, i cili është nënshkruar. /Insajderi.com