
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, është deklaruar rreth dyshimeve për vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, njofton Insajderi.
I ftuar në emisionin “Debat” të Radio Televizionit të Kosovës, Haxhiu ka komentuar deklaratën e ministers së Financave, Hykmete Bajrami, e cila tha se kjo vjedhje ishte sulm kibernetik.
Sipas Haxhiut, kjo vjedhje nuk ka të bëjë me sulm kibernetik e as rrezik të sigurisë nacionale.
“Kjo që ka thënë ministrja Bajrami është më shumë justifikim për të arsyetuar hajninë që ka ndodhur. PDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e ministres, sepse hajnia ka ndodhur në ministrinë që ajo e drejton”, ka thënë Haxhiu.
Madje, Haxhiu tutje ka bërë një ndërlidhje të kësaj vjedhje me shuarjen e Taskë Forcës nga Qeveria e Kosovës.
“Shuarja e Task Forcës antikorrupsion nga Hoti i ka jap një lloj inkurajimi hajdutëve që të zhvatin pasurinë shtetërore. Shuarja e Taskës Forcës ka motivuar hajnat dhe zhvatësit e shtetit, prandaj kemi kërkuar dorëheqjen e ministes. Shuarja e këtij institucioni ka demotivuar hetuesit dhe gjykatësit që merren me antikorrupsion dhe ta luftojnë korrupsionin dhe krimin”, ka thënë Haxhiu. /Insajderi.com