Ish-gjenerali boshnjak që priti gati gjysmë viti vendimin për ekstradim

Ish-gjenerali boshnjak që priti gati gjysmë viti vendimin për ekstradim

Politikani i njohur boshnjak, Ganic, ishte arrestuar në Londër me kërkesë të Serbisë, dhe nuk ishte liruar për gati gjysmë viti. Rasti i tij me ndalimin e Haradinajt ka edhe ngjashmëri të tjera.

Një histori thuajse e njëjtë sikur arrestimi i Ramush Haradinajt ka ndodhur në vitin 2010, kur Ejup Ganic, ish-president i kantonit të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitet 1997-1999 dhe 2000-2001, ishte arrestuar në Londër me kërkesë të Serbisë.

Ashtu si edhe ish-kryeministri Haradinaj, ai akuzohej për krime luftë gjoja të kryera në vitin 1992, që ai përherë kishte mohuar t’i ketë bërë.

Për më tepër, Ganic ishte hetuar dy herë për këto krime, por që në të dy rastet nuk janë gjetur prova të mjaftueshëm kundër tij.

Ai dyshohej se kishte urdhëruar një sulm mbi një eskortë mjekësh si dhe për ekzekutimin e ushtarëve të dorëzuar në fillim të luftës në Bosnjë.

Të njëjtën histori me drejtësinë e ka edhe Ramush Haradinaj, i cili ishte gjykuar edhe nga Tribunali i Hagës, por që pas disa viteve mbajtje, ishte shpallur i pafajshëm.

Të mërkurën, gjykata franceze për herë të dytë vendosi që të shtyjë vendimin për liderin e AAK-së.  Ai është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze bazuar në një fletarrest të Serbisë.

Kështu, Haradinaj do të mbes në ndalim edhe për një muaj tjetër.

Një ngjashmëri tjetër mes rastit të Ganic dhe të Haradinajt është zgjatja e procesit në gjykatë. Ganic ishte mbajtur për rreth pesë muaj në ndalim derisa ishte vendosur që të refuzohej kërkesa e Serbisë për ekstradim.

haradinaj-france-780x439

Lidhur me rastin e Ejup Ganicit ka pasur raportime edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare.  BBC në një artikull përmes të cilit njoftonte se kërkesa e Serbisë për ekstradim ishte bllokuar, citonte avokatë të Ganic, të cilit akuzonin Serbinë për ndërhyrje politike në këtë rast.

Për më tepër, një gjyqtar në Londër që kishte marrë pjesë në këtë rast, kishte thënë se ka pasur prova që rasti të jetë “i motivuar politikisht.”

Ndërsa vetë Ganic zotohej se do të hetonte këtë “konspiracion” nga ana e shtetit serb.

“Qeveria në Serbi ka provuar që të minojnë sistemin gjyqësor në këtë vend, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve dhe më kanë mbajtur për pesë muaj këtu,” ka thënë ai. “Ky konspiracion do të hetohet.”/Insajderi.com