Mbi 47 mijë gjoba për mosrespektim të ligjit anti-Covid

Mbi 47 mijë gjoba për mosrespektim të ligjit anti-Covid

Ka më shumë se një muaj prej hyrjes në fuqi të Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, e për moszbatim të masave anti-COVID, Policia e Kosovës ka gjobitur mbi 47 mijë qytetarë të Kosovës. Më pak gjoba janë shqiptuar nga Inspektorati Sanitar, ku vetëm në muajin shtator janë dënuar 110 qytetarë dhe rreth 80 biznese, njofton Insajderi.

Vendosja e maskës, ndalimi i punës së gastronomisë pas orës 23:30 dhe ndalimi i muzikës prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme), janë disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka vendosur për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës përmes një përgjigje për KosovaPress, ka njoftuar se nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, janë shqiptuar 47 mijë e 312 gjoba. Për nga shifrat, më së shumti shkelës të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, janë identifikuar në komunën e Prishtinës, e cila prinë me gjithsej 12 mijë e 432 gjoba, e pasuar nga qyteti i Pejës me gjithsej 7838, Prizreni me 6838 e kështu me radhë.

Më poshtë e gjeni tabelën me komunat e renditura në të cilët njësitet policore kanë shqiptuar gjoba për të gjithë ata që nuk e respektuan ligjin anti-Covid.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe po i respektojnë masat anti-Covid, por shton se duke e parë që ditëve të fundit ka rritje të rasteve me Coronavirus janë dakorduar që mos të ketë falje për shkelësit.

Ibrahimi deklaron se me qëllim që mos të vihet deri tek ashpërsimi i masave, është kërkuar mobilizim i të gjitha institucioneve përgjegjëse./Insajderi.com