PDK kundër taksës për hyrje në Prishtinë: S’mund të jetë shpëtimtari i kryeqytetit

PDK kundër taksës për hyrje në Prishtinë: S’mund të jetë shpëtimtari i kryeqytetit

Partia Demokratike e Kosovës me Degë në Prishtinë, ka kundërshtuar idenë e kryetarit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, për ta bërë me pagesë hyrjen me vetura në këtë komunë, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media të mbajtur sot nga kjo parti, ku është diskutuar për gjendjen e transportit publik në kryeqytet dhe për idenë e vendosjes së taksës për hyrje ditore në Prishtinë, ka folur edhe deputetja Eliza Hoxha.

Hoxha tha se taksa prej 10 euro nuk mund të jetë shpëtimtari i kryeqytetit.

“Shumë qytete të mëdha e aplikojnë por taksa është hapi i fundit në menaxhimin e rrezikshmërisë të një qyteti. Kur jemi te mobiliteti mund të jeni që të gjitha rrugët shpien në Prishtinë. Prishtina vazhdon të mbetet pika kryesore për arsye të shkollimit e të pushtetit. Duke mos pasur vend parkingje të shumta bllokojnë trotuaret dhe ajri i ndotur është problem tjetër, po ashtu edhe shumë projekte të pa realizuara qe kryeqytetin e kanë sjellë para një kolapsi dhe taksa nuk mund të jetë shpëtimtari i kryeqyteti”, është shprehur ajo.

Kurse, Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli tha se modeli i organizimit të  trafikut urban dhe transportit publik ka mbetur i tillë që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit në Prishtinë, ndonëse Vetëvendosje në të dy fushatat zgjedhore kishe premtuar zgjidhje sipas modeleve të avancuara europiane, e në fakt kjo u minimizua vetëm në blerjen me kredi të disa autobusëve.

“Margaritari i fundit i modelit qeverisës të VV-së, paralajmërimi për të vendosur taksën e hyrjes në Prishtinë për banorët e qyteteve të tjera, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar, për të mbledhur një grusht votash. As kaq nuk do të jetë efekti i saj, ngase Prishtina, është e prishtinasve, por është edhe kryeqendra e gjithë Kosovës, jo vetëm administrative, por edhe biznesore. Duke qëndruar në Prishtinë, banorët e qyteteve të tjera i lënë asaj dhe bizneseve të saj një përqindje të lartë fitimi”, tha tutje ai. /Insajderi.com